Përplasjet e diplomacisë së Fuqive të Mëdha për përfshirjen e territoreve dhe kufijtë e shtetit shqiptar

Autorët

  • Frashër Demaj

Fjalët Kyçe:

Konferenca e Ambasadorëve, Fuqitë e Mëdha, diplomacia, shteti shqiptar, shtetet ballkanike, kufijtë

Abstrakti

Në fund të dhjetorit 1912 dhe në fillim të janarit 1913 në Konferencën e Ambasadorëve u paraqiten pikëpamjet e Fuqive të Mëdha dhe partnerëve të tyre ballkanikë mbi ndryshimet territoriale që duhej të bëheshin në Gadishullin Ballkanik. Në këto pikëpamje u paraqiten edhe pretendime shoviniste kryesisht nga Serbia, Mali i Zi dhe Greqia. Konferencës së Londrës i kishte paraqitur kërkesa në formë memorandumi edhe qeveria e përkohshme shqiptare. Aty shtroheshin kërkesat e ligjshme të popullit shqiptar, në të cilat kërkohej respektimi i kufijve etnikë, që nënkuptonte përfshirjen e katër vilajeteve shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar. Problemi i caktimit të kufijve të shtetit të ri shqiptar u bë tema më e ndjeshme dhe me shumë të panjohura. Fakti i parë që do të prodhonte pasoja për formimin, njohjen dhe përfshirjen territoriale të shtetit shqiptar ishte pozicionimi i Fuqive të Mëdha në dy blloqe politiko-ushtarake. Fakti i dytë ishte pafuqia e shqiptarëve për të qenë partnerë me ndonjërën nga Fuqitë e Mëdha që do të mbronte interesat e shqiptarëve në kuadër të marrëdhënieve reciproke. Dhe fakti i tretë disfavorizues ishte fitorja e Aleancës Ballkanike kundër Perandorisë Osmane dhe mospërfshirja e shqiptarëve në këtë aleancë. Përkundër kësaj situate në konferencë pati përplasje dhe debate me diskurs të acaruar në mes të përfaqësuesve diplomatikë. Dy fuqitë që shfaqën më së shumti interesim për çështjen e shtrirjes territoriale dhe kufijtë e principatës shqiptare ishin Austro-Hungaria dhe Rusia. Interesat austriake përputheshin me një shtrirje sa më të gjerë të principatës për të penguar shtrirjen dhe fuqizimin e shteteve sllave të Ballkanit. Kurse 12 | PËRPLASJET E DIPLOMACISË SË FUQIVE TË MËDHA PËR PËRFSHRJEN... Rusia mbronte interesat e sllavëve të Ballkanit dhe kërkonte zgjerimin e kufijve kryesisht të Serbisë dhe Malit të Zi në dëm të territoreve shqiptare. Ndërsa fuqitë tjera kishin qëndrime pro dhe kundër projektit austro-hungarez dhe rus. Në zhvillimet e seancave të konferencës pati mospajtime, kundërshtime dhe kërkesa të ndryshme në lidhje me caktimin e kufijve të shtetit shqiptar. Shqipëria u shndërrua në pikë referimi ku përplaseshin “shpatat” dhe puqeshin interesat e dy grupeve politiko-ushtarake, Antantës dhe Paktit Trepalësh.

Downloads

Download data is not yet available.

Downloads

Botuar

2023-10-26

How to Cite

Demaj, F. (2023). Përplasjet e diplomacisë së Fuqive të Mëdha për përfshirjen e territoreve dhe kufijtë e shtetit shqiptar. Instituti I Historisë "Ali Hadri" Kosovë, (1), 11–30. Retrieved from https://mail.konferenca.al/ih-rks/article/view/3